Aktualitet

130 mijë € për vilë në Lalëz, kush është Arben Kraja, koka e SPAK që hetoi Lul Bashën dhe dosjen ‘Prenga’, i zhytur në borxhe

Arben Kraja ka hetuar kryedemokratin Lulzim Basha, ish-deputetin e PS-së Armando Prengën, gjyqtaren Majlinda Andrea dhe së fundi ka në ‘duar’ dosjen e kandidatit socialist për Shkodrën, Valdrin Pjetri.
Featured image of article: 130 mijë € për vilë në Lalëz, kush është Arben Kraja, koka e SPAK që hetoi Lul Bashën dhe dosjen ‘Prenga’, i zhytur në borxhe Arben Kraja

TIRANË– Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja do të jetë drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar për 3 vitet e ardhshme pa pasur mundësinë e rikandidimit.

55-vjeçari Kraja u zgjodh kryetari i SPAK në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, votimi për tre kandidatët u bë me dyer të mbyllura. Prokurori Kraja mori 6 votat e nevojshme për të drejtuar SPAK, ndryshe nga dy “kundërshtarët” e tij. Prokurori Altin Dumani mori 4 vota, ndërsa Edvin Kondili mori .

Kreu i ri i SPAK është votuar nga Sandër Beci, Vatë Staka, Kristaq Beluri, Bujar Sheshi, Nurihan Seiti dhe Alfred Balla. Burime nga KLP bëjnë me dije se për votat e dhëna në favor të Krajës ka prevaluar eksperienca në drejtim dhe menaxhim të burimeve njerëzore.

E shkuara e Arben Krajës si prokuror

Arben Kraja njihet si prokurori që ka hetuar kryedemorkatin Lulzim Basha, i cili asokohe mbante postin e ministrit të Jashtëm për aferën e rrugës së Kombit (Durrës-Kukës). Gjithashtu Kraja ka hetuar edhe dosjen e Armando Prengës për incidentin e Lagunës së Patokut të ndodhur në shtator të 2015. Nga përplasja me armë mes dy familjeve 7 persona kanë mbetur të plagosur.  Ai gjithashtu hetoi gjyqtaren Majlinda Andrea, e cila me ndërmjetësimin e bashkëshortit Odhise Andrea akuzohet se kishte marrë ryshfet me vlerën e 50 mijë eurove për një vendimmarrje pronash në zonën e Sarandës. Tanimë prokurori Kraja ka në ‘duar’ dosjen e kandidatit socialist për Shkodrën, Valdrin Pjetrin, i cili akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

VETTINGU

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kraja doli para Komisonit të Pavarur të Kualifikimit më 13 Dhjetor të 2018 dhe pas hetimeve rezultoi se pasuriae tij ishte e justifikuar dhe në përputhje me ligjin. Nga hetimet e KPK-së, Kraja rezultoi se kishte dy banesa, një në Shkodër trashëgimi nga prindërit dhe një në Tiranë, ndërsa kishte marrë prej vitit 1994 pesë kredi, nga të cilat katër i kishte shlyer dhe një e kishte në proces. Aktualisht Kraja ka në zotërim: një shtëpi në Shkodër me sipërfaqe 117 m2 dhe truall 542 metra katrorë të përfituar përmes trashëgimisë. Kjo shtëpi është blerë nga prindërit e prokurorit në vitin 1956. Kraja zotëron gjithashtu një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë me vlerë 56 mijë euro si dhe 16.6 për qind pjesë takuese në një sipërfaqe toke në Gjirin e Lalzit në Durrës, e blerë për 466 mijë lekë dhe një mjet tip “Benz” me vlerë 500 mijë lekë. Prokurori Kraja është në proces e sipër për të shlyer blerjen e një shtëpie në Gjirin e Lalëzit. Deri më tani Kraja ka paguar këstin e parë prej 15 mijë eurosh, ndërsa vlera totale është 130 mijë euro. Prokurori Arben Kraja rezultoi i pastër edhe në kriterin e figures.

INTERVISTA PARA KLP

Ishte i dyti në radhën e të intervistuarve para KLP-së, por kjo nuk e pengoi Krajën që për më pak se 45 minuta të shpaloste vizionin e tij për SPAL. Për të pika kyçe më e rëndësishme ishte paga e prokurorëve, pasi sipas tij SPAK s’do mund të jetë funksional nëse nuk mbështetet me financa dhe nëse nuk krijohet BKH. Sipas tij , rrogat e SPAK s’do duhet t’i caktonte qeveria por një ligj pasi në të kundërt do të cënohet pavarësia e hetuesve.

SPAK sot ka marrë dritën jeshile. 8 anëtarët e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion janë betuar para Presidentit Meta. Prokurori Arben Kraja është zgjedhur kryetar i tyre për 3 vite pa të drejtë rikandidimi. Ai premtoi se do të ishte i ashpër me ata që do shkelin ligjin. Ndërkombëtarët kanë përshëndetur formimin e strukturës së re. Reagime edhe nga politika shqiptare.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment