Aktualitet

110-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, Rama kujton 26 gushtin, ditën kur vdiq dhe Migjeni: Ajo vdiq duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, ai pa kuruar dot sëmundjen e vet…të dy e kapërcyen vdekjen

Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, kryeministri Rama ka publikuar një foto të Nënë Terezës dhe të poetit Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni). 26 gushti është edhe data kur porti i madh u nda nga jeta. Dhe më këtë datë, Rama shkruan se ndërsa Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni nga ana tjetër jetoi pak, si një bubullimë buçitëse.
Featured image of article: 110-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, Rama kujton 26 gushtin, ditën kur vdiq dhe Migjeni: Ajo vdiq duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, ai pa kuruar dot sëmundjen e vet…të dy e kapërcyen vdekjen Nënë Tereza, Migjeni dhe Edi Rama

TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka kujtuar Gonxhe Bojaxhiun, të njohur si Nënë Tereza, ditën e sotme, më 26 gusht, ditë kur edhe vetë ajo erdhi në jetë. Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, kryeministri Rama ka publikuar një foto të Nënë Terezës dhe të poetit Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni). 26 gushti është edhe data kur porti i madh u nda nga jeta. Dhe më këtë datë, Rama shkruan se ndërsa Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni nga ana tjetër jetoi pak, si një bubullimë buçitëse.

Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve. Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet. Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re,”- shkruan Rama ndër të tjera.

Statusi i plotë

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

HOMAZH. SHËN TEREZA dhe MIGJENI lidhen bashkë me këtë datë, 26 gushtin, atë të vitit 1910 kur erdhi në jetë nëna e madhe e të varfërve të kësaj bote dhe atë të vitit 1938, kur ndërroi jetë poeti i madh i grushtit të kësaj toke. Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse. Ajo ishte e bardhë, nuse kokëulur martuar me kaltërsinë e qiellit, ai ishte kryeneç, siluet i zi përballë lartësisë së malit pa zë. Ajo ishte dora e shtrirë në kërkim të dritës së pafundme, ai ishte dora e mbledhur grusht në drejtim të errësirës së padurueshme. Ajo e gjeti qetësinë e pandërprerë, duke ndezur qiririn në vend se të mallkonte errësirën, ai nuk rreshti së mallkuari errësirën pa gjetur dot një dekikë qetësi. Të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr, ajo i fërkonte kokën për t’i lehtësuar dhimbjen, ndërsa atij i ngriheshin flokët përpjetë prej dhimbjes së tij. Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte. Të dy e donin botën më të mirë, ajo duke u gjunjëzuar devotshmërisht për ta bërë më të lehtë, ai duke u kryengritur verbalisht për ta kthyer përmbys. Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia. Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë. Për Shën Terezën, Fjala ishte Zoti dhe Zoti ishte Fjala, ndërsa Zoti i Migjenit ishte vetja dhe Zot i Fjalës ishte ai vetë. Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve. Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet. Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re. Ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, Ai vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës. #TëPAHARRUESHËM🙏

Sot shënohet 110-vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Ajo është një nga personalitetet më të njohura shqiptare në të gjithë botën dhe vazhdon të mbetet edhe ambasadorja më e mirë e shqiptarëve. Ajo është gruaja e shenjtë që arriti të fitonte edhe çmimin “Nobel për Paqe” dhe lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. 

(f.m/dosja.al)

Shto Koment