Opinione

10 fakte për lidhjen ruse të Lulzim Bashës

Duke ndjekur parimin “të fshihemi në vendin më të dukshëm”, Basha gjithë aktivitetin e tij pro rus e ka bërë në shesh, para Kryeministrisë, para Parlamentit dhe para godinës së Ministrisë së Brendshme.
Featured image of article: 10 fakte për lidhjen ruse të Lulzim Bashës Lulzim Basha

Hapja e protestave të opozitës me muzikën e filmit “Skënderbeu” – një prodhim rus siç u vu re me të drejtë në Parlament nga ministrat e qeverisë – nuk është rast i veçuar: lidhjet me Rusinë shkojnë më thellë dhe “Rusia collusion” në Shqipëri nuk ka nevojë për një prokuror si Robert Muller për ta provuar.
Vetëm gjatë javës së fundit, me fakte dhe prova, me zë dhe me figurë, është dëshmuar sheshit “lidhja ruse”.
Duke ndjekur parimin “të fshihemi në vendin më të dukshëm”, Basha gjithë aktivitetin e tij pro rus e ka bërë në shesh, para Kryeministrisë, para Parlamentit dhe para godinës së Ministrisë së Brendshme.

1. Aktori që ka luajtur filmin “Skënderbeu” është rus. Filmi është prodhim rus dhe autoritetet po hetojnë për të parë se çfarë mesazhesh po përpiqet t’i përcjellë Moskës, Lulzim Basha.

2. Një tjetër sinjal i deshifruar, por jo plotësisht, mbetet deviza e shpallur e opozitës: “Asnjë hap pas”. Me djegien e mandateve është e qartë se nuk ka më hapa pas, por ky urdhër është dhënë nga Stalini në Luftën e Dytë Botërore, në dimrin e 1941-shit. Sinjali këtu është më i qartë: Opozita po i thotë Moskës se nuk do të ketë asnjë hap pas. Tani gjithë përpjekjet janë për të gjetur shtigje të pashkelura për të ecur përpara.

3. Kryetari i opozitës – dhe jo vetëm ai – ditët e fundit i kanë mëshuar shumë togfjalëshit “krim dhe ndëshkim”. Mediat këtu e kanë interpretuar si kryqëzatë ndaj abuzuesve të pasurisë publike me në krye oligarkët vendas. Por këtu zbulohet që lidhja me rusët është më e thellë, ajo daton në vitin 1866, vit kur autori rus Fjodor Dostojevski shkroi romanin e famshëm “Krim dhe ndëshkim”. Ka dyshime të bazuara që lidhja është më e thellë, sepse Basha po përdor dendur fjalën “luftë” dhe më rrallë fjalën “paqe”.
“Nuk ka më paqe!” – kërcënon ai. “Luftë kërkoni, luftë do të keni”.
Analiza na çon te viti 1860, pikërisht te Leo Tolstoi, që shkroi romanin “Lufta dhe paqja” në kohën e luftërave napoloneike. Po shihet mundësia për të hetuar edhe lidhjen me shërbimet franceze. Analistët janë të ndarë për këtë referim: një pjesë përqendrohen te mesazhi i filozofisë së mbijetesës te “Lufta dhe paqja” dhe një pjesë tjetër te fakti që ngjarjet në këtë libër shtrihen në 50 vjet!

4. Ditën që u realizua çerekrrethimi i 7-të i Parlamentit është faktuar se në restorantin XXX3, Lulzim Basha ka porositur gjatë drekës së vonë sallatë ruse dhe për ta çuar provokimin deri në fund, kur kamerieri ka pyetur për pije, ai me një buzëqeshje tinëzare ka thënë: Vodka!
Ndërsa fliste për të ndjerin Ali Mema, ikonë e futbollit të Shqipërisë, Basha është dëgjuar të thotë se Rusia ka skuadër të mirë futbolli. Ky duhet të jetë një kod i fshehtë, sepse dihet botërisht që as rusët nuk kanë ekip të mirë futbolli dhe as Basha nuk është në gjendje të thotë dallimin mes një loje futbolli me dy porta dhe një loje futbolli me një portë.

5. Në çdo fjalim para protestuesve, Basha i ka bërë thirrje popullit të bashkohet rreth PD-së dhe u ka dhënë porosi kryetarëve të degëve për të punuar për Shqipërinë e Bashkuar… një referim i qartë si kristali për partinë e presidentit rus Putin – “Rusia e Bashkuar” (Jedinaja Rossija).

6. Basha ka krahasuar kryeministrin Rama me Maduron e Venezuelës. Rusët kanë dërguar trupa speciale për të mbrojtur Maduron. Referimi te Maduro po analizohet për të parë mos ka ndonjë ide të ngjashme edhe në opozitën e Tiranës.

7. Është provuar që Rusia ndërhyrjen më efikase e ka te procesi zgjedhor. Padurimi i Bashës për të pritur zgjedhjet e 2021-shit dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme është avancim i objektivave ruse në rajon.

8. Shqiptarët dihet që janë populli më proamerikan në botë. Antiamerikanizmi është politikë ruse. Disa qëndrime të opozitës kundër ambasadës në Tiranë dhe lobimi për të mos emëruar ambasadoren në Senatin Amerikan janë jo vetëm sinjale, por vepra konkrete në favor të politikës ruse.

9. Rusia nuk dëshiron zgjerimin e BE-së. Me djegien e mandateve, opozita po kontribuon që Shqipëria të mos hapë negociatat në qershor me Brukselin. Nuk duhet harruar që “Russia Today” ka marrë një intervistë të Bashës, dhënë agjencisë amerikane AP.

10. Nuk është i rastësishëm caktimi i datës 13 prill për protestën popullore. Ky është një sinjal sinkronizimi me Moskën. Data 13 nuk është vetëm simbolike. Dihet që Rusia është i vetmi vend në botë që ka 13 zona orare. Nëse më datë 13, protesta do të njoftohet për në orën 13:00, nuk ka më asnjë dyshim për “lidhjen ruse”.

Shto Koment