Aktualitet

‘1 Maji është thirrje angazhimi për një model të ri’/ Dita e punëtorëve, Lëvizja Vetëvendosje ka një propozim: Pa punuar ata…

Sipas LVV në Shqipëri, masat e marra nga qeveria ndaj punëtorëve për të përballur pandeminë kanë qënë të pamjaftueshme duke bërë thirrje për një model të ri për të dalë nga kriza.
Featured image of article: ‘1 Maji është thirrje angazhimi për një model të ri’/ Dita e punëtorëve, Lëvizja Vetëvendosje ka një propozim: Pa punuar ata… Foto ilustruese

TIRANË– Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë ka bërë thirrje për një angazhim të ri të punëtorëve duke marrë shkasë edhe nga festa e 1 Majit. Me anë të një postimi në Facebook, ata shkruajnë se prej koronavirusit punëtorë kanë humbur vendin e punës dhe nga 10 që punojnë, 4 prej tyre nuk janë të deklaruar.

Sipas LVV në Shqipëri, masat e marra nga qeveria ndaj punëtorëve për të përballur pandeminë kanë qënë të pamjaftueshme duke bërë thirrje për një model të ri për të dalë nga kriza.

“Pandemia na tregoi se vigjilenca dhe ndërhyrja e një shteti të mirëqënies sociale është e domosdoshme. Ndërsa 1 Maji duhet të na kujtojë rëndësinë e organizimit përbashkues sindikalistë, ndërsektorialë dhe mbarëshoqëror. Kështu do mund ta rikthejmë shpresën dhe t’i zgjerojmë horizontet, duke sjellë në jetë një model zhvillimor ekonomik,”-shkruhet ndër të tjera në postim.

POSTIMI I PLOTË:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

1 Maji është thirrje angazhimi për një model të ri. Punëtorët janë në vitin e tyre më të vështirë të dekadës së fundit. Shqipëria ishte në krizë, por pandemia e ka rënduar situatën, dhe barra më e madhe peshon mbi punëtorët. Pa punuar ata që mbajnë në këmbë zinxhirin jetik të ekonomisë gjatë pandemisë dhe shërbimin shëndetësor, nuk do mund të kishte funksionuar asgjë. Ndërkohë, zyrtarisht, deri në 60.000 punëtorë kanë humbur vendin e punës. Por në çdo 10 punëtorë në Shqipëri, 4 punojnë në të zezë. Prandaj, nuk ka dyshim se dhjetra mijëra njerëz të tjerë kanë mbetur të pa punë, në varfëri. Hendeku i madh i pabarazisë në Shqipëri, tani është edhe më i zgjeruar. Shumica e atyre që punojnë në fasoneri, në miniera, në ndërtim, në sektorin energjitik janë edhe me paga të ulëta e më të drejta të mohuara, edhe në kushte të këqija të punës dhe më në rrezik para pandemisë (siç na dëshmuan edhe fasoneritë në Krujë). Në gjithë këtë vuajtje dhe padrejtësi, është e domosdoshme të kërkojmë jetësimin e një modeli të ri. Masat e marra nga qeveria në Shqipëri për të përballuar thellimin e krizës, kanë qenë ose të pamfjatueshme ose në drejtimin e gabuar. Nga kjo krizë e thelluar ka vazhduar të fitojë ajo pakicë që fitonte edhe para pandemisë: oligargët që kanë kapur shtetin, bankat, dhe politikanë të korruptuar. Shumë prej atyre që kanë qenë më në nevojë, janë përjashtuar nga mbështetja e masave qeveritare. Pushteti në Shqipëri nuk e ka braktisur modelin neoliberal, dhe nuk ka paraqitur një model të ri për daljen nga kriza, përveç përsërtjes së metodave të vjetra: shtim borxhi me idenë që do ta kthejnë duke reduktuar shpenzimet publike. Kur, për të dalë nga kjo krizë e thelluar, nevojitet pikërisht e kundërta: investime publike në sektorë kyç të ekonomisë prodhuese. Por është naive të mendohet se nga kriza do të na nxjerrin ata që ndër vite e kanë mirëmbajtur dhe shtuar pabarazinë. 1 Maji ka qenë e do të mbetet thirrje për organizim e për aksion kolektiv. Historia botërore e kësaj date na kthen tek protestat në Amerikë të fundshekullit të IXX-të, ku punëtorë grevistë e protestues kërkonin reduktimin e orarit të punës në 8 orë, paga më të mira e kushte dinjitoze pune, mbrojtjen dhe zhvillimin e organizimit sindikal. Protestat i kthyen kërkesat në fitore për punëtorët, pas shumë sakrificash. 130 vjet më vonë këto të drejta të fituara me djersë e me sakrifica sublime, janë sërish në rrezik. Në Shqipëri, në konfigurimin aktual politiko-ekonomik, mirëqënia dhe të drejtat janë kthyer në privilegje të një pakice me pushtet politik dhe ekonomik, që të tjerët i shtyp duke i kundërvënë ndaj njëri-tjetrit. Për të dal nga ky kurth duhet t’i kthehemi frymës së 1 Majit, në kushtet dhe me metodat e organizimit të shekullit XXI. Nuk duhet të harrojmë se në këtë shekull ata që vuajnë nuk janë vetëm në sektorin e prodhimit, por edhe të vetëpunësuar, apo në kushte prekariati: me punësim dhe të ardhura të pasigurta. Detyra emancipuese e kohës sonë është lidhja në organizim e të gjithë atyre që vuajnë nën neoliberalizmin e egër shqiptar, drejt një modeli të ri. Shteti zhvillimor është zgjidhja që mund të arrihet vetëm me angazhim. Pandemia na tregoi se vigjilenca dhe ndërhyrja e një shteti të mirëqënies sociale është e domosdoshme. Ndërsa 1 Maji duhet të na kujtojë rëndësinë e organizimit përbashkues sindikalistë, ndërsektorialë dhe mbarëshoqëror. Kështu do mund ta rikthejmë shpresën dhe t’i zgjerojmë horizontet, duke sjellë në jetë një model zhvillimor ekonomik.

1 maji njihet ndryshe edhe si dita e punëtorëve.  Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve në vitin 1866, të cilët synonin një të drejtë të madhe, të punonin vetëm 8 orë në ditë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois të SHBA-së.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment